Sigurimi i mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta (MTPL)

Sigurimi i mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta (MTPL) është një sigurim i detyrueshëm dhe i ofrohet mbajtësit të mjetit motorik, që qarkullon brënda territorit të Republikës së Shqipërisë. Siguruesi merr përsipër përgjegjësinë civile të të Siguruarit, ndaj palëve të treta, kur ai përfshihet në një aksident dhe është përgjegjës për dëme materiale, pasurore dhe/apo shëndetësore, në bazë të Ligjit “ Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

AMF miraton udhëzimin për sistemin “Bonus-Malus”

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar udhëzimin “Mbi zbatimin e sistemit Bonus-Malus në sigurimin MTPL e brendshme”. Udhëzimi përcakton kriteret për llogaritjen e skemës universale të sistemit “Bonus-Malus” që do të zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit që ofrojnë produktin TPL e brendshme në kategoritë B1 (autovetura) dhe B2 (furgona, mikrobuzë).

Udhëzimi u miratua nga Bordi i Autoritetit në pritje të ndryshimeve të plota ligjore me qëllim kryesor mbrojtjen e konsumatorit dhe përfshirjen e praktikave të njohura evropiane edhe në tregun shqiptar të sigurimeve. Kjo, pasi është verifikuar që në vendet ku është në zbatim sistemi “Bonus-Malus” ka dhënë efekte në uljen e numrit të aksidenteve, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe garantimin e një çmimi më të drejtë në policat e sigurimit TPL.

Në aspektin social, me aplikimin e sistemit “Bonus-Malus” synohet ndërgjegjësimi i publikut për një drejtim sa më të kujdesshëm të automjetit, por edhe rritje e cilësisë së shërbimit të sigurimeve kundrejt konsumatorëve. Nga ana teknike procesi është më transparent dhe përfshirja e formulave matematikore e bën një mekanizëm të drejtë, të besueshëm dhe sipas meritës.

Sistemi “Bonus-Malus” është mekanizmi i tarifimit në sigurimin e detyrueshëm MTPL, ku primi i zbatuar është i varur nga historiku i dëmeve/eksperienca e drejtimit të automjetit nga ana e të siguruarit. Ky sistem penalizon ekonomikisht, me rritjen e primit (deri në dyfishimin e tij), të siguruarin përgjegjës për një ose më shumë aksidente të shkaktuara/raportuara gjatë periudhës së sigurimit. Në anën tjetër, e favorizon atë me ulje të çmimit të primit të sigurimit (deri në përgjysmim), nëse gjatë periudhës së konsideruar nuk ka shkaktuar asnjë dëm.

Në bazë të udhëzimit të miratuar nga Bordi i Autoritetit, krijimi i historikut për vënien në zbatim të sistemit fillon më 1 prill 2019. Versioni final i udhëzimit të miratuar nga Bordi i AMF-së ka përfshirë mendimin e të gjitha palëve të interesuara. Përveç historikut të dëmeve (“Bonus-Malus”) faktorë të tjerë risku që ndikojnë direkt në çmimin e primit të sigurimit janë edhe territori ku qarkullon mjeti dhe fuqia motorike e tij.

Sigurimi kufitar i mjetit motorik

Sigurimi kufitar i mjetit motorik është një sigurim i detyrueshëm dhe i ofrohet mbajtësit të mjetit motorik me targa të huaja, që qarkullon brënda territorit të Republikës së Shqipërisë. Siguruesi merr përsipër përgjegjësinë civile të të Siguruarit, ndaj palëve të treta, kur ai përfshihet në një aksident dhe është përgjegjës për dëme materiale, pasurore dhe/apo shëndetësore.

Sigurimi Kasko

Sigurimi Kasko është sigurimi i vetë mjetit motorik. Ky sigurim është vullnetar dhe mbulon humbjet apo dëmtimet e pjesshme ose të plota të mjetit të siguruar ndaj rreziqeve në sigurim si:

  • dëmtimi i mjeteve për shkak të përplasjes apo përmbysjes
  • thyerja e xhamave
  • zjarri, eksplozioni dhe rrufeja
  • katastrofat natyrore (stuhia, breshëri, dëbora, përmbytja, etj.)
  • vjedhja

Sigurimi Kartoni Jeshil

Sigurimi i mjetit me karton jeshil është një sigurim i detyrueshëm për të gjithë automjetet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë që udhëtojnë jashtë tarritorit të saj. Siguruesi merr përsipër përgjegjësinë civile të të Siguruarit, ndaj palëve të treta, kur ai përfshihet në një aksident jashtë territorit të Shqipërisë dhe është përgjegjës për dëme materiale, pasurore dhe/apo shëndetësore.